Kryeministri Albin Kurti ka vizituar fabrikën “Gacaferi Glass” në Komunën e Pejës, një kompani familjare e cila është edhe përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kurti tha se kjo fabrikë ka arritur që jo vetëm ta plasojnë prodhimin e tyre në tregun kosovar, por gjithashtu edhe të eksportojnë madje edhe në Gjermani dhe në Zvicër.
“Nga masa 2.1 për subvencionimin e kredive investive kanë përfituar për një makineri shumë të vlefshme e cila ndihmon në produktet cilësore që i ka kjo fabrikë. Makineri pneumatike por edhe automatike e robotike të cilët bëjnë saldim, prerje e kështu me radhë”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se është kënaqësi që ta vizitojnë një biznes kosovar prodhues i cili kontribuon në rritjen e vlerës dhe në krijimin e vendeve të punës.
“Ne diskutuam përveç arritjeve edhe sfidat dhe mënyrat se si Qeveria mund të ndihmojë këtë kompani, por edhe kompanitë tjera në mënyrë që të jenë sa më konkurruese në tregun evropian dhe ndërkombëtar”, tha Rizvaniolli në përfundim të vizitës. /Telegrafi/