Telegrafi

Kurti viziton familjen Rugova, së shpejti nisin punimet për restaurimin e rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova

Sot janë bërë 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i Rugovës e më pas ka vizituar edhe familjen e tij, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se gjatë vizitës së Kurtit, është njoftuar familja Rugova që së shpejti nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.

“Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot”, shkruan Kryeziu në Facebook.

Ndryshe, sot janë bërë 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore./Telegrafi/