Kryeministri Albin Kurti sot ka vizituar Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku janë ekspozuar në dollapë prej xhami lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh.
Bashkë me Kurtin ishte edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999.
“Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti gjatë vizitës tha se ky muze është shumë i rëndësishëm në “përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje”.
Ai po ashtu rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Është detyrë e secilit prej nesh që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve”, shtoi Kurti.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e luftës e fëmijëve të Kosovës.
Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyrës së BE-së në Kosovë./Telegrafi/