Telegrafi

Kurti vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes, FSK e gatshme të mbështesë autoritetet civile në përballje me pandeminë COVID-19

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, vizituan Ministrinë e Mbrojtjes, ku takuan ministrin në detyrë, Anton Çuni, ndërsa u tha se FSK-ja vazhdon edhe më tutje me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2, duke qenë gjithmonë e gatshme të mbështesë autoritetet civile të vendit në përballje me pandeminë COVID-19 dhe nevojat tjera.

Kryeministri në detyrë Kurti, vizitoi edhe Qendrën Operative të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ku u njoftua për masat dhe veprimet e marra për luftimin e virusit Corona dhe për kontrollimin e tërë hapësirës administrative të Republikës sonë.

Në këtë takim Kurti-Quni u tha se përgatitja sa më e mirë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, është elementi kyç i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në komunikatën e lëshuar nga Kryeministria thuhet se shteti i Kosovës dhe FSK-ja nuk kanë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse.

“Projektet e shumta të përbashkëta me ShBA-të dhe ushtrinë e saj, që nga përgatitja dhe shkollimi i oficerëve dhe nënoficerëve, deri te ato kapitale si pajisje me armatim, janë përcaktim yni strategjik dhe nuk do ndalen për asnjë moment”.

Në këtë takim u tha se Qeveria në detyrë e Kosovës, edhe në këtë kohë krize me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, do të përkrahë pa rezervë projektet e planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, duke qenë falënderues edhe ndaj partnerëve tanë strategjik për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të sinqertë. /Telegrafi/