Site icon Telegrafi

​“Edukimi për siguri”, Kurti viziton kazermat në Pomozatin dhe në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, ka vizituar kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozatin dhe kazermën “Minatori” në Mitrovicë.

Atje po bëhet ligjërimi nga ana e instruktorëve të FSK-së për nxënësit e ciklit të mesëm të lartë, për temat që përfshihen në planprogramin e lëndës “Edukim për Siguri”.

Ngritja e tendave, përdorimi i litarëve dhe orientimi në natyrë, ishin temat të cilat u trajtuan sot në aspekt teorik e praktik nga ana e ligjëruesve të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit në Pomozatin dhe kazermën në Mitrovicë. Me përfundimin e këtij cikli të ligjëratave, të rinjtë që kanë ndjekur këto trajnime do të jenë të aftë për të ndihmuar të tjerët në situata emergjente dhe në raste të fatkeqësive natyrore.

Kryeministri Kurti tha se shpreson që shumë nga këta të rijnë, por edhe të tjerë që do të vijnë pas tyre, do ta marrin si lëndë zgjedhore në shkolla “Edukimin për Siguri”, thuhet në njoftim.

Ky program pritet që nga shtatori të zhvillohet në 8 kazerma nëpër qytetet e Kosovës dhe me 2100 nxënës pjesëmarrës.

Kryeministri pati mundësinë që të shoh nga afër ligjëratat dhe trajnimet si dhe të bashkëbisedojë me ligjëruesit, instruktorët dhe nxënësit që po ndjekin këto mësime.

Kujtojmë se dje, ai kishte vizituar kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ku grupe nxënësish po mbanin ligjëratë mbi “Njohuritë e përgjithshme rreth institucioneve të sigurisë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e saj Qeverisës 2021-2025 ka paraparë zhvillimin e programit edukativ për të rinjtë e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Programi “Edukimi për Siguri”, është program i cili ka për qëllim edukimin dhe trajnimin e nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Telegrafi/

Exit mobile version