Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-mesazhi, u është drejtuar të enjten mbrëma qytetarëve të vendit, nga ballkoni i banesës së tij, ku i ka lutur të gjithë edhe njëherë t’i respektojnë masat e marra nga Qeveria e vendit, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Kurti përmes këtij mesazhi luti qytetarët të mos gjejnë mundësi zëvendësuese për vendimet e Qeverisë e rekomandimet e mjekëve.
Ai tha se shkollat nuk janë mbyllur që fëmijët të mblidhen e të luajnë nëpër lagje, e as universitetet nuk janë mbyllur për të dalur në piknik.
Po ashtu, ai bëri thirrje që të mos mblidhen mysafir nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit, por tu përmbahen masave që ka marrë Qeveria dhe rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor.
“Nëse dalim tani, vetizolimi do të zgjasë. Prandaj të durojmë edhe pak”, u shpreh Kurti.
Ai tha se Kosova nuk mund të rrezikoj, sepse shëndetësinë dhe ekonominë e ka shumë të dobët.
“Vendimet e vështira duhet të merren para se të përkeqësohet gjendja e jo më pas. Nuk mund të injorojmë atë që po ndodhë nëpër botë. Nuk mund të injorojmë çmimin e shtrenjtë që e kanë paguar me jetë njerëzish e me ekonomi popujt e tjerë që nuk e kanë marrë me seriozitetin e duhuer këtë virus dhe janë vonuar me marrjen e masave të rrepta të distancimit”, tha Kurti ndër të tjera. /Telegrafi/