Një ditë para shënimit ditës së Evropës, kryeministri në detyrë Albin Kurti mbajti një video-takim me Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, të cilës i shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës në kryerjen e reformave të rëndësishme për anëtarësim në BE.
Kurti theksoi se kriza shëndetësore me COVID-19 është menaxhuar mirë, ndërsa tha se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme.
“Ai theksoi se kriza shëndetësore me COVID-19 është menaxhuar mirë duke dëshmuar se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme dhe ka treguar se si po hapet gradualisht ekonomia duke shtuar masat mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti e falënderoi BE-në për ndihmën që kanë ofruar në menaxhimin e pandemisë dhe zotimin për ndihmë në rimëkëmbje ekonomike si dhe për rolin konstruktiv që zyra e BE-së ka luajtur në këta muaj.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Integrimit, Blerim Reka shtoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik, dhe se këtë e kërkojnë qytetarët tanë të cilët Kosovën e shohin si pjesë të BE-së dhe që besojnë në idenë evropiane.
Duke shpresuar në një vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave, ministri në detyrë Reka uroi ambasadoren Apostolova për Ditën e Evropës.
Në njoftimin për media thuhet se ambasadorja Apostolova falënderoi kryeministrin për menaxhimin e pandemisë dhe ofroi ndihmën e BE-së në lidhje me planet dhe strategjinë për rimëkëmbjen ekonomike. /Telegrafi/