Vetëm 20 për qind e grave janë aktive në tregun e punës, gjysma prej tyre janë papunë, kështu ka pohuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e organizuar nga UNKT me temën Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në këtë dekadë.
Kurti ka shtuar se papunësia në Kosovë është 30 për qind dhe se 18 për qind jetojnë në varfëri ekstreme.
“Në Kosovë papunësia është 30 për qind. 80 për qind e grave janë jashtë tregut të punës e tek ato 20 për qind aktive në treg, gati gjysma janë të papuna. Ata që janë të punësuar, 25 për qind kanë kontrata afatgjate e të tjerat kanë veçse kontrata të përkohshme duke jetuar në pasiguri e në stres, por edhe pa qasje në financa, ndërkaq 18 për qind jetojnë në varfëri ekstreme”, tha Kurti.
Sipas tij, kjo gjendje është trashëguar dhe se ekonomia është duke u varur nga remitancat.
“Këto statistika janë realiteti me të cilin përballemi dhe gjendja të cilën e kemi trashëguar dhe sërish këto statistika na përcaktojnë prioritetet e politikat që ne do t’i ndërmarrim. Ekonomi që nuk prodhon dhe e varur nga doganat e remitancat nga mërgata; edukim që nuk është i lidhur me ekonominë e tregut dhe punësimin; kontrata dhe tenderë të cilët janë më shumë plaçkitje e pasurim sesa investim”, shtoi ai. /Telegrafi/