Telegrafi

Kurti: Me vëmendjen e duhur shtetërore, drejt zbulimeve të reja arkeologjike

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se arkeologjia në Kosovë po merr një vëmendje të veçantë shtetërore, me projekte të rëndësishme në zhvillim në disa lokalitete kyçe, duke përfshirë Ulpianën, Dresnikun dhe Kalanë e Vuçakut.

Ai njoftoi se për herë të parë janë nisur proceset e shpronësimit për lokalitetet arkeologjike, me prioritet për Ulpianën dhe Dresnikun, ndërsa planifikohet të vazhdohet në vende të tjera.

Në Ulpiana, ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi i Perandorit Justinian për Dardaninë, po zgjerohet hulumtimi për të bërë zbulime të reja të rëndësishme.

Në Dresnik të Klinës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është duke vazhduar një projekt konservimi, ku pajisjet moderne, si skanerët 3D, janë përdorur për të dokumentuar gjendjen aktuale dhe për të hartuar plane të detajuara për mbrojtjen e lokalitetit. Plani i menaxhimit dhe plani i qasjes janë gjithashtu në zhvillim.

Një zbulim i rëndësishëm ka ardhur nga Kalaja e Vuçakut në Drenas, ku është zbuluar një altar romak i shekullit të III pas Krishtit, një objekt me vlerë të veçantë historike që tregon vazhdimësinë e jetës që nga parahistoria deri në mesjetë.

Në lokalitetin arkeologjik Hisar në Suharekë, gërmimet kanë sjellë zbulime të rëndësishme të periudhës Eneolitike dhe iliro-dardane. Së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje me Universitetin e Tubingenit në Gjermani për një projekt që do të identifikojë dhe dokumentojë qendrat paleolitike dhe mezolitike në Kosovë.

Instituti Arkeologjik i Kosovës po përgatit publikime dhe botime për të ndarë rezultatet e hulumtimeve. Ndër botimet më të fundit janë revista “Kosova Arkeologjike” dhe monografia “Varreza tumulare e Dollcit”. Gjithashtu, janë ndarë bursa për studentët e arkeologjisë, të cilët po ndjekin studimet e tyre në universitete ndërkombëtare, me mbështetje për krijimin e kapaciteteve të reja profesionale.

Kurti shtoi se deri në fund të vitit, projektet për restaurimin dhe zhvillimin e lokaliteteve arkeologjike, si Kalaja e Novobërdës, Ura e Gurit në Vushtrri dhe strukturat në Kaçanik, Vrellë dhe vende të tjera, do të jenë në qendër të angazhimit.