Site icon Telegrafi

Kurti uron Xhaferin: E dëshirojmë një Maqedoni të Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Talat Xhaferin me rastin e zgjedhjes në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Maqedonia e Veriut është vend fqinj i Kosovës dhe një partner.

“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner”.

Kurti ka uruar që gjatë qeverisjes së Xhaferit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kenë veprime bashkërenduese për projekte të përbashkëta.

Lexo po ashtu Këshilltari i Kurtit: Talat Xhaferi do të quhej shqiptar sikur të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve

“Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”.

Tutje i pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova e dëshiron një Maqedoni të Veriut me orientim të fortë euroatlantik.

“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë”.

Lexo po ashtu Talat Xhaferi është kryeministër i Maqedonisë

Kurti është shprehur i sigurt se bashkëpunimi i Kosovës me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë me Xhaferin ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski.

“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka deklaruar ndër të tjera Albin Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version