Kryeministri Albin Kurti ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeministri ka kujtuar se deri të pavarësia shqiptarët kanë bërë një luftë të gjatë dhe shumë sakrifica.
“Urime Dita e Pavarësisë së Shqipërisë gjithë shqiptarëve në mbarë botën. Që nga fitorja e Skënderbeut në Krujë e deri te Shpallja e Pavarësisë së vitit 1912, sot kujtojmë se e drejta jonë fisnike për liri ka ardhur pas një lufte të gjatë, duke simbolizuar shpirtin dhe qëndresën e popullit shqiptar”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Në përvjetorin e 111-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u zhvillua një ceremoni madhështore në Vlorë, me pjesëmarrjen e figurave të larta politike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në krah të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, morën pjesë në ritualet e nderimit të flamurit në “Sheshin e Flamurit”.
Kurti, në një njoftim të bërë publik nga zyra e tij, ka shprehur urimet më të ngrohta për festën kombëtare, duke vënë në theks rëndësinë e 28 Nëntorit si simbol të lirisë, pavarësisë dhe unitetit të shqiptarëve anembanë botës.
Ai tha se kjo ditë duhet të na inspirojë të angazhohemi çdo ditë për të lartësuar vlerat dhe arritjet e figurave të dalluara të historisë sonë.
Me një mesazh të qartë për punën dhe aspiratat e kombit, Kurti përmendi figurat historike si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, të cilët sipas tij duhet të na udhëheqin në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
Ai shtoi se ceremonitë e nderimit të flamurit nuk mbarojnë me Vlorën, por do të vazhdojnë në Kosovë, ku do të bëhen nderime pranë varrezave të familjes Jashari, me theks të veçantë te kryekomandanti Adem Jashari.
Kryeministri Kurti bëri të ditur gjithashtu se festimet dhe aktivitetet në nder të 28 Nëntorit, si një nga datat më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar, do të vazhdojnë edhe ditën pasuese./Telegrafi/
Happy 🇦🇱 Independence Day to all Albanians around the world. From Skanderbeg's victory in Kruja to the Declaration of Independence of 1912, today reminds us that our noble right to freedom has been long fought, symbolizing the enduring spirit & resilience of the Albanian people. pic.twitter.com/kdw5sYKQN1
— Albin Kurti (@albinkurti) November 28, 2023