Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar popullin turk me rastin e 23 prillit, që në Turqi festohet si dita e sovranitetit kombëtar dhe festa e fëmijëve.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kosova ka gjetur mbështetje dhe miqësi te Turqia, si vend i rëndësishëm i NATO-s, por edhe si vend mik i shqiptarëve.
“Kosova është atdhe i një minoriteti turk, me kontribute të rëndësishme në vendin tonë. Prandaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm, dua ta uroj popullin e Republikës Turke për një shekull sovranitet e parlamentarizëm. Ua uroj këtë datë të gjithë institucioneve të Turqisë, me në krye presidentin Erdogan, siç ua uroj edhe gjithë turqve të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Bayraminiz kutlu olsun
Një shekull më parë, Turqia ishte e pushtuar prej disa fuqish të mëdha botërore.
Duke përfituar prej paaftësisë të perandorisë për ta mbrojtur vetveten, vende të tjera sulmuan për të pushtuar pjesë të mëdha të Turqisë.
Por, për fatin e mirë të Turqisë, të popullit e të miqve të saj, 100 vite më parë, në 23 prill 2020, Mustafa Qemali, Ataturku, midis luftës e shpalli Asamblenë e Madhe Kombëtare, e shkëputi Turqinë prej perandorisë osmane, dhe organizoi luftën për liri e pavarësi, që e fitoi tre vite më vonë, pasi që çliroi pjesët e pushtuara të Turqisë dhe qytetin më të madh e më strategjik, Stambollin.
Prej asaj dite, 23 prilli festohet prej të gjithë turqve, si ditë e sovranitetin kombëtar, dhe si festë e fëmijëve.
Kosova ka gjetur mbështetje dhe miqësi te Turqia, si vend i rëndësishëm i NATO-s, por edhe si vend mik i shqiptarëve. Po ashtu, Kosova është atdhe i një minoriteti turk, me kontribute të rëndësishme në vendin tonë.
Prandaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm, dua ta uroj popullin e Republikës Turke për një shekull sovranitet e parlamentarizëm. Ua uroj këtë datë të gjithë institucioneve të Turqisë, me në krye presidentin Erdogan, siç ua uroj edhe gjithë turqve të Kosovës. Patjetër, ua uroj edhe fëmijëve, meqë në Turqi kjo është edhe festë e fëmijëve.
Gëzuar, për miqësinë e fortë të Kosovës e shqiptarëve me Turqinë. /Telegrafi/