Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në varrimin e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretaren së Shtetit, Madeleine Albright”, tha Kryeziu, duke shtuar se ky udhëtim është i ndarë nga vizita e tij e planifikuar për në ShBA, e cila do të zhvillohet në muajin maj.
Në fillim të javës së ardhshme edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për në SHBA për të njëjtën arsye.
“Gjatë qëndrimit në SHBA presidentja Osmani do të ketë edhe disa takime të tjera”, kanë thënë nga Presidenca për Telegrafin.
Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit të saj në Prishtinë.
Ajo ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.
Në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shpallur 24 marsin ditë zie në Kosovë. /Telegrafi/