Në margjinat e Konferencës për Siguri në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me bashkëdrejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour.
Kryeministri Kurti e uroi Nouripour për suksesin e Partisë së Gjelbër në zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, detyrën e tij të re edhe për përfshirjen e tyre në qeverinë e re.
Ai u dëshiroi suksese në përmbushjen e prioriteteve të qeverisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e plotë për të punuar ngushtë si dy qeveri progresiste.
Sipas komunikatës gjatë takimit, Nouripour u njoftua me progresin e bërë gjatë vitit të parë të qeverisjes, për rritjen ekonomike, reformat progresiste, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj agjendës së Gjelbër.
Kryeministri Kurti tha synim i qeverisë që ai drejton është që ringjalljen ekonomike ta trajtojë si mundësi për t’u fokusuar drejt ekonomisë së gjelbër dhe miqësore ndaj mjedisit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për format e bashkëpunimit pikërisht në fushën e mjedisit dhe energjisë.
Kujtojmë se objektivat e Strategjisë së re Kombëtare për Energji, e cila është duke u hartuar, do të jenë drejt energjisë së pastër dhe dekarbonizimit, thuhet në njoftim.
Tutje, Kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendjen e shtuar të Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor, në anën tjetër, Nouripour e falënderoi për urimet, shprehu vullnetin për bashkëpunim të hapur në fushat me interes të përbashkët dhe ofroi ndihmën e tij për Kosovën. /Telegrafi/