Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur hap të rëndësishëm për Kosovën, miratimin e raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ku rekomandohet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Kurti, përmes një postimi në platformën X, tha se rekomandimi i sotëm konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga Kosova.
“Sot, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për Kosovën. Opinioni konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga Kosova dhe rekomandon që Kosova t’i bëhet ftesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës si shtet anëtar”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.
Today, @PACE_Political has taken a significant stride forward for Kosova. The Opinion confirms Kosova's fulfillment of all membership prerequisites and recommends extending an invitation for Kosova to join the @coe as a member state. @PACE_News will vote on the Opinion in April.
— Albin Kurti (@albinkurti) March 27, 2024
Ai më tej ka thënë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për opinionin në prill.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci. /Telegrafi/