Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve serbë në Kosovë, për t’i njoftuar se kanë 61 ditë afat që t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS”.
Kurti tha se targat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës kanë skaduar në tetor të vitit të kaluar.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro….Targat e lëshuara nga Serbia ‘Pr’, ‘Km’, ‘Pz’ janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.
Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro. /Telegrafi/