Telegrafi

Kurti u bëri thirrje publikisht për takim, opozita thotë se ende s’kanë pranuar ftesë zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot (e diele) u bëri thirrje krerëve opozitarë për tu takuar dhe për t’i informuar ata për takimin e fundit që Kurti pati në Bruksel për çështjen e dialogut.

Një takim me opozitën Kurti e kishte paralajmëruar edhe ditë më parë gjatë një konference për media.

Por përveç këtyre thirrjeve publike, partitë opozitare nuk kanë pranuar ende ndonjë ftesë zyrtare për takim nga ana e kryeministrit Kurti. Telegrafi ka mësuar se në Partinë Demokratike të Kosovës, deri më tani nuk u ka shkuar asnjë ftesë nga kryeministri Kurti për takim.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar se nuk kanë pranuar ftesë për takim.

Lexo po ashtu Kurti: Më ka marr malli për opozitën, do t’u dërgoj ftesa për takim

“Në moment që kemi ftesë do e shqyrtojmë pjesëmarrjen dhe do të dalim me përgjigje”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.

Telegrafi ka pyetur edhe në LDK se a kanë pranuar ftesë për takim dhe nëse të njëjti do t’i përgjigjen pozitivisht, por deri në publikimin e artikullit të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe sot, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka theksuar nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm pozitë-opozitë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haziri ka theksuar se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.

“Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër”, ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti sot deklaroi se dallimet e mospajtimet politike që kanë mes vete pozitë e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror.

“Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara. Secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mos-pajtime, por asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar”, u shpreh Kurti.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.

Lexo po ashtu LDK thotë se ka një momentum të ri në dialogun Kosovë-Serbi, kërkon urgjentisht një dialog pozitë-opozitë

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Qeveria ka thënë se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.

Vendimi për targat dhe ai për dokumentet serbe rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri, por pas heqjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës, mori vendim për shtyrjen e zbatimit të këtyre vendimeve deri më 1 shtator. /Telegrafi/