Site icon Telegrafi

Kurti tregon tri arsyet pse ai e sheh shqetësues takimin më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes disa postimeve në gjuhën angleze në Twitter ka thënë se njoftimi i emisarit të presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell që më 2 shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të SHBA-së, do të ketë një takim bisedimesh në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë është shqetësues.

Dhe për këtë, Kurti ka treguar se pse mendon ashtu, përcjell Telegrafi.

Në këtë drejtim ai ka vlerësuar se e para është mungesa e besueshmërisë dhe transparencës.

“Ideja e ‘shkëmbimit të territorit’ u mohua në mënyrë të vazhdueshme, por u vërtetua se ishte e vërtetë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili tha se ideja erdhi nga të dy presidentët (Thaci & Vuçiq). Kjo e dëmtoi besimin në proces”, ka shkruar Kurti.

Veç kësaj, sipas ish-kryeministrit Kurti, e dyta është mungesa e njohurive për këtë çështje.

“Kosova është një vend i pavarur dhe sovran i cili nuk është as në konflikt për të pasur nevojë për një marrëveshje paqeje, as nuk ka një status të pazgjidhur që kërkon negociata. Këto janë pretendime të rreme”.

Dhe e treta, ka thënë Kurti, është koha dhe përkushtimi.

“Një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, pra një proces i gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor është e qartë se kjo nuk ka të bëjë me përmbajtjen e marrëveshjes, por nënshkrimin në fund të saj”.

Andaj, konstaton Kurti, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, por kjo mund të ndodhë përmes një dialogu të përgatitur mirë.

“Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me SHBA-në mbetet e pathyer, por detyrimi për marrëveshje të këqija për hir të një fushate politike është gjë e gabuar”, ka shkruar në fund Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version