Telegrafi

Kurti tregon hapat që po ndërmerr për heqjen e taksës ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se taksa prej 100% ndaj mallrave serbe do të hiqet, por jo pa vendosjen e parimit të reciprocitetit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%”.

Postimi i kryeministrit Kurti:

“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti, përcjell Telegrafi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.

“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti  të mërkurën gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.

Ndërkohë, heqjen e takësës e kanë kundërshtuar liderët e dy partive opozitare.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili edhe vendosi taksën 100% ndaj mallrave serbe, i ka shkruar një letër kryeministrit Kurti, përmes së cilës i kërkon që mos ta heq taksën. Njësoj është deklaruar edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli. /Telegrafi/