Telegrafi

Kurti: Do t’i shqyrtojmë të gjitha emërimet që u bënë pas dorëheqjes së Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me shefen e BE-së, Natalyia Apostolova ka folur edhe për emërimet dhe vazhdimet e mandatit të zyrtarëve publik që u bënë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj sa ishte në detyrë.

Për këto, Kurti tha se do të ketë rishqyrtim të këtyre vendimeve.

“Të gjitha vendimet të cilat janë marrur pas datës 19 korrik 2019 nuk mund ta kenë statusin e njëjtë sikurse vendimet para kësaj date. Po i referohem datës kur ish kryeministri dha dorëheqje. Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër i saj do ta kemi një shqyrtim të gjithë kësaj faze pas dorëheqjes së ish kryeministrit, me ç’rast konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri duhet ta rrisim përgjegjësinë institucionale e ligjore por edhe politike e morale”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se dorëheqja është akt moral dhe nuk beson që vendimet dhe emërimet e pastajme e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë shtetndërtimin demokratik dhe ligjshmërinë në Republikën tonë.

Kurti u pyet edhe për emrat e zëvendësministrave, por tha se një gjë të tillë do ta bëjnë së shpejti.

“Nuk i kemi përcaktuar ende emrat e zëvendësministrave do ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur këtë gjë. Do t’i kemi rreth 35 zëvendësministra krahasuar me mbi 80 që kanë qenë dikur”, tha Kurti. /Telegrafi/