Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën e tij të paralajmëruar në SHBA gjatë muajit nëntor, vizitë kjo e cila nuk ndodhi.
Kurti në një konferencë për media, tha sot se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u përgatitur që të zhvillohet në fillim të vitit 2022.
Ai tha se nuk do të njoftojnë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë i vizitës.
“Shefi i stafit të kryeministrit, z.Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti.
Ai shtoi se është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, dhe nuk kam informacione se ka kushtëzime nga ndokush.
“Vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë i takon, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell dhe emisarit Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat apo jo”, tha Kurti. /Telegrafi/