Telegrafi

Kurti thotë se do të ketë shtesa për fëmijë dhe punëtorët e sektorit publik

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se për fëmijët nën moshën 15 vjeçe do të ketë shtesa.

Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të pikave programore.

“Ne do të zbatojmë shtesa dhjetë euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeç”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.

Kurti po ashtu ka deklaruar se kur ta marrin në dorë qeverisjen do ta themelojnë Ushtrinë e Kosovës.

“Do ta bëjmë Kosovën me ushtri – do ta bëjmë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka shtuar ai.

“Ne do të nisim bisedimet më gjithë faktorët politikë për themelimin e ushtrisë dhe anëtarësimin e saj në NATO”, ka pohuar Kurti.

I nominuari i Vetëvendosje ka thënë se do ta bëjnë një treg të përbashkët energjetik me Shqipërinë, do ta bëjnë sigurimin shëndetësor, do ta bëjnë sigurimin e jetës të të gjithë zyrtarëve të policisë dhe zjarrfikësve.

Kurti, po ashtu ka folur edhe për rishikimin e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Do të nisim bisedime direkte me Qeverinë Malit të Zi. Do të bëjmë delimitim para demarkacionit”, ka thënë Kurti.

“Ndryshimi është Vetëvendosje, ndërsa ndryshimi është 11 qershori, ku përcaktohet fati i gjeneratave të ardhshme”.