Telegrafi

Pas takimit me deputetët nga pakicat joserbe, Kurti thotë se ka siguruar shumicën parlamentare për Qeverinë e re

Kreu i LVV njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka takuar të shtunën deputetët e ardhshëm të komuniteteve jo shumicë, Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se i është premtuar vota e tyre në Kuvend për kryeministër, pa kushtëzime.

“Në “Ambient” të Prizrenit, pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve jo shumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime. 6 tetori 2019 është data kur ka nisur ardhmëria”, ka shkruar Kurti.

Me sigurimin e këtyre votave Kurti e lë përfundimisht NISMA-n e Fatmir Limajt në opozitë e cila ka kaluar pragun për 30 vota.

Numërimi i votave ka përfunduar sot ndërsa ditët në vazhdim pritet të përmbyllet procesi pas-zgjedhor, njofton Telegrafi.