Deputeti i VV-së, Albin Kurti ka thënë në Gjakovë se ndryshimi që e bëri Prishtina në vitin 2013, është i domosdoshëm që të bëhet në Gjakovë me 22 tetor të këtij viti.
Ai ka theksuar se kjo komunë ka dhënë shumë për ekonominë, historinë e kulturën e vendit, por ai tha se pas çlirimit për Gjakovën nuk pati as zhvillim e as drejtësi.
“Komuna është pasqyra ku shikohet qytetari. Te komuna qytetari gjen arkivën e banorëve dhe të punës, si dhe dëshirat e shndërruara në plane. Kryetari juaj i ardhshëm Driton Çaushi dhe asambleistët tonë të ardhshëm këtu në Gjakovë, do të jenë edhe qytetarë aktivë, edhe aktivistë qytetarë”, tha Kurti në këtë tubim.
“Ne angazhohemi jo për një komunë që punëson brenda vetes fitimtarët, por për një komunë që jashtë vetes hap mundësi për qytetarët. E mundësitë janë midis qytetarëve. Komuna i gjen ato dhe ribëhet prej tyre sepse komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe qytetarët duhet të bëhen komunitet”, tha po ashtu deputeti Kurti gjatë këtij tubimi, duke theksuar se për VV-në nuk kryhet puna kur vjen në pushtet, por se pikërisht atëherë fillon.
Në fund, Kurti la porosi në Gjakovë se numri 10 është edhe zgjedhja e edhe zgjidhja e vërtetë, duke ftuar ata që me votën e tyre ta vendosin Driton Çaushin në krye të Gjakovës.