Site icon Telegrafi

Kurti thirrje bashkatdhetarëve: Regjistrohuni si banorë jo-rezidentë dhe forconi lidhjen me Kosovën

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen si banorë jo-rezident të Republikës së Kosovës.

Kurti përmes një video-adresimi ka thënë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.

“Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun.  Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun.

“Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/

 

Exit mobile version