Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se nuk bënë të kryhen pazare për korrigjimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që sipas tij nuk duhet të jepet veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës.
Kurti këto komente i bëri në hapje të ceremonisë së pritjes së bashkatdhetarëve në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet të mbështeten pa kursim.
“Ne e kemi thënë qëndrimin tonë edhe në Kuvend edhe në deklaratat dhe qëndrimet e lëvizjes, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e kanë thënë fjalën e tyre në referendumin e vitit 1992. Shteti i Kosovës dhe qeveria duhet ta konsiderojnë këtë referendum, mirëpo në qeverisje dashuria matet me buxhet. Presheva, Medvegja e Bujanoci janë me popullsi shqiptare autoktone dhe duhet t’i mbështesim pa kursim në mënyrë që të realizohet referendumi i vitit 1992”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.
Kurti ka thënë se deklaratat e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit janë përbrenda logjikës së Demarkacionit.
“Korrigjimi i kufirit është çështje minore, nuk zgjidhet problemi i Kosovës lindore me logjikën e demarkacionit. Presidenti më shumë po e jep veriun në ndërkohë që nuk po e merr luginën, kjo është shumë e dëmshme “, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se sipas informacioneve që ka në Bujanoc është rritur prania e xhandarmërisë serbe në Preshevë. /Telegrafi/