Site icon Telegrafi

Kurti: Thaçi ka bërë shkelje duke anashkaluar nenin 82.2 të Kushtetutës – do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar deklarimet e presidentit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se pas mocionit të mosbesimit sipas Kushtetutës do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se Thaçi po bën shkelje pasi po e anashkalon nenin 82.2 të Kushtetutës.

“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”, ka thënë Kurti.

Lexo po ashtu Thaçi i shkruan Kurtit, i kërkon propozimin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë

Sipas tij, Presidenti nuk është neutral dhe se ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural.

“Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020!

Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lexo po ashtu Kurti i shkruan letër Thaçit: Çështja e vetme e cila dua të bisedoj në takim është shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve

Kujtojmë se dje lideri i LVV-së, njëherësh edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kishte shkruar dy letra presidentit Thaçi, ku kishte deklaruar se me të do të diskutojë vetëm për shpalljen e zgjedhjeve dhe luftimin e pandemisë së coronavirusit./Telegrafi/

Exit mobile version