Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas gjendjes së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 ka filluar t’i vizitojë komunat e Kosovës për të parë për së afërmi situatën dhe problemet me të cilat po ballafaqohen komunat.
Kurti një ditë më parë vizitoi komunën e Gjilanit dhe Kamenicës, ndërsa sot vizitoi Klinën, Pejën dhe Gjakovën.
Kryeministri në detyrë kërkoi nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore në mënyrë që situata me pandeminë COVID-19 të jetë në kontroll.
Pas vizitës në këto komuna, Kurti konfirmoi se do ta vizitojë edhe komunën e Malishevës.
Ai tha se Malishevën do ta vizitojë të enjten, ndërsa sipas tij, ditë më parë atje ishte edhe Xhelal Sveçla.
“Nuk shkova në Malishevë sot sepse pardje ka qenë ministri Sveçla. Nesër do ta vizitojë Malishevën dhe dy komuna tjera”, tha Kurti.
Ndryshe, ditë më parë nga zyrtarë nga kjo komunë kanë kritikuar Kurtin se nuk po e viziton këtë komunë që sipas tyre ka numrin më të madh të të infektuarve. /Telegrafi/