Të dielën do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka konfirmuar njoftuar Albin Kurti.
Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se kjo mbledhje do të mbahet për t’u siguruar se gjithçka do të shkojë mirë me çështjen e ndërrimit të targave të automjeteve të serbëve në Kosovë dhe për dokumentet e përkohshme që do t’u jepen atyre para se të hyjnë në territorin e Kosovës.
“Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku do të diskutojmë me krerët e organeve dhe me disa ministra çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. Ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme që nuk iu pëlqen ligjshmëria e kushtetuta dhe dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës”.
“Andaj, kjo mbledhje është organizuar për të shikuar nëse janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është planifikuar për të zbatuar vendimin e Qeverisë”, deklaroi ai.
Nga 1 gushti fillon regjistrimi i targave ilegale në ato RKS, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës më 29 qershor të këtij viti, ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Po ashtu, qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/