Site icon Telegrafi

Kurti takon zyrtarë të kompanisë që testuan qëndrueshmërinë e urës mbi Ibër: Ura mund të përdoret pa asnjë kufizim në ngarkesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë që ka realizuar procesin e testimit të qëndrueshmërisë së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër, përkatësisht matjen e sigurisë së strukturës mbajtëse të saj.

Siç njoftojnë nga qeveria, nga rezultatet e matjeve është konkluduar se struktura e urës së Ibrit siguron kapacitetin e aftësisë mbajtëse dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë sipas modelit të ngarkesave të parapara me standardin evropian për ngarkesa EC-1, ose EC-1991.

“Uljet e Lejuara L/800 = (25.0*100/800) =31.2, kurse uljet max. të matura= 4.2 mm << 31.2mm. Nga këto krahasime rezulton se uljet e matura janë shumë herë më të vogla se ato të lejuara”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se për matjen e vlerave testuese të uljeve, deformimeve, dhe karakteristikave dinamike, janë përdorur pajisjet elektronike të sofistikuara të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Deri më tani kompania “IPE-PROING” ka testuar dhe analizuar aspektin e sigurisë së mbi 40 urave dhe mbi 20 struktura të objekteve në vendin tonë”, njoftojnë nga qeveria.

Exit mobile version