Site icon Telegrafi

Kurti takon një delegacion nga Gjermania, flasin për kornizën ligjore për luftimin e pastrimit të parave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim përfaqësues të lartë të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Në këtë takim kanë marrë pjesë drejtoresha e përgjithshme IRZ-së, Frauke Bachler, drejtori për Evropën Juglindore i IRZ-së, Frank Hupfeld dhe ekspertët e shkencave të drejtësisë, Stefan Trunk dhe Thomas Seidel.

“Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ) është themeluar me iniciativën e Ministrisë Federale të Drejtësisë në vitin 1992. IRZ mbështet më shumë se 20 partnerë në projekte reformatore në fushën e drejtësisë, duke dhënë këshilla juridike në përgatitjen e ligjeve, themelimin dhe zhvillimin e institucioneve por edhe përmes promovimit e trajnimeve në shumë fusha. Ajo zbaton edhe projekte të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se ekspertiza e tyre kësaj radhe, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës do fokusohet në luftimin e pastrimit të parave, duke prodhuar kështu rezultat të drejtpërdrejtë dhe rekomandime të qarta brenda përpjekjeve për hartim dhe miratim të Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit deri në fund të vitit 2023

“Kryeministri Kurti i njoftoi të pranishmit me progresin ekonomik dhe demokratik dhe arritjet në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit brenda dy viteve të fundit. Ai po ashtu përmendi avancimin e kornizës ligjore, duke përfshirë këtu miratimin e pakos së ligjeve kundër korrupsionit si ai për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.

“Diskutimi i sotëm u fokusua edhe në nevojën e shqyrtimit të kornizës ligjore dhe institucionale në qëllim të luftimit të pastrimit të parave, fuqizimit të institucioneve në qëllim të ndjekjes së krimeve dhe luftimit të ekonomisë joformale”, bëhet e ditur mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version