Site icon Telegrafi

Kurti kërkon zgjerim të lidhjeve me SHBA-në

Ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee po qëndron në Kosovë.

Kryeministri Kurti pas takimit me McKee ka thënë se ndihma e USAID-it për Kosovën deri më tani kap vlerën e mbi një miliardë dollarëve.

“Ndihma e USAID-it për Kosovën deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë. Për secilin dollarë ne jemi mirënjohës si popull, si vend dhe si institucione”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se rritja, përmirësimi dhe zhvillimi janë dëshmi për partneritet të fuqishëm me miqtë tanë, por në të njëjtën kohë janë edhe ftesë për edhe më shumë bashkëpunim.

Ai tha se Kosova me SHBA-në ndan vlerat dhe orientimet e përbashkëta, derisa me popullin amerikan ndajmë bindjet e përbashkëta për liri e demokraci.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta. Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci”.

“Te USAID-i ne gjejmë edhe SHBA-në si shtet edhe popullin mik amerikan. Andaj, le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta thellojmë bashkëpunimin, në shërbim të të dy vendeve dhe të dy popujve tanë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Edhe presidentja Osmani ka kujtuar kontributin e USAID duke investuar miliardë dollarë për forcimin e institucioneve të Kosovës, demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse./Telegrafi/

Exit mobile version