Site icon Telegrafi

Kurti takon Marin: Finlanda mbështet integrimin e Kosovës në BE

Në Samitin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Brdo të Sllovenisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas takimeve plenare, takoi kryeministren finlandeze, Sanna Marin me të cilën diskutoi për marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve.

Kurti me këtë rast falënderoi Marin për kontributin e Finlandës për Kosovën para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Ai po ashtu theksoi nevojën për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe investime në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës është e fokusuar në luftimin e korrupsionit përmes sundimit të ligjit dhe rritjen e punësimit përmes krijimit të kushteve më të mira për investitorë”, tha Kurti.

Ndërsa, kryeministrja Marin shprehu mbështetjen për programin e qeverisë për punë dhe drejtësi, dhe ofroi mbështetjen e Finlandës për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version