Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti në saje të vizitës në Tiranë është takuar edhe me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushatin.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook vetë Bushati.
I njëjti ka shkruar se janë takuar dje në Tiranë me Kurtin derisa kanë diskutuar për sfidat që e presin si kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
“Me Albinin në një bisedë dje në Tiranë mbi sfidat që e presin si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Pritshmëritë janë të mëdha për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për shqiptarët kudo ku ata jetojnë, si parakusht për të kontribuar në fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon”, ka shkruar Bushati.
Kurti gjatë vizitës në Tiranë është takuar edhe me presidenti Ilir Meta, kryeministrin Edi Ramën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. /Telegrafi/