Gjatë vizitës në Massachusetts, kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga guvernatori Charles Baker.
Sipas njoftimit, Kurti ka folur për mundësitë për investime në Kosovë.
“Rinia e talentuar, rritja ekonomike, e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, me më pak se 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ai theksoi klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70 për qind e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në SHBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë.
Si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi edhe pozitën e favorshme gjeografike dhe kulturore, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit, politikën stabile fiskale, infrastrukturën moderne të transportit, etj. /Telegrafi/