Qeveria e Kosovës njofton se kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Bordit të kompanisë turke Çalık Holding, Ahmet Çalık, kryetarin e Bordit të Limakut, Nihat Özdemir si dhe drejtorin ekzekutiv të KEDS-it, Alpin Dogan.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për situatën energjetike në vend dhe raportin me KEDS-in në funksion të furnizimit të qëndrueshëm të qytetarëve me rrymë.
Kurti tha se Kosova është një shtet ku po rriten prodhimtaria dhe eksportet, andaj po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme energjia për bizneset.
“Kosova ka shënuar një ngritje prej 86 për qind për vitin 2021 krahasuar me 2020 në eksporte dhe 23 për qind për vitin 2022 krahasuar me 2021”, ka thënë Kurti.
Në fund, Çalık dhe Özdemir kanë theksuar se kompanitë që drejtojnë janë në shërbim të Kosovës me qëllim të furnizimit të qëndrueshëm të energjisë. /Telegrafi/