Site icon Telegrafi

​Kurti takon bordin e ARKEP-it, flasin për krijimin e një tregu konkurrues

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim anëtarët e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP.

Duke theksuar rëndësinë që ka ARKEP-i si rregullator i komunikimeve elektronike dhe postare, kryeministri Kurti theksoi mbështetjen për këtë institucion drejt jetësimit të vizionit për zhvillim të këtij sektori.

Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u bisedua për aktivitet në të cilat është duke u angazhuar ARKEP-i, drejt krijimit të një tregu konkurrues, i cili zhvillon shoqërinë informative në Kosovë.

“U bisedua për sfidat dhe mundësitë për zhvillim të sektorit të komunikimeve elektronike në Kosovë, si dhe shërbimeve telekomunikuese, që përmbushin kërkesat e konsumatorëve. Në takimin e përbashkët ishin kryetari i bordit, Nazim Rahimi dhe anëtarët Lule Ahmedi, Shkumbin Hamiti, Rrezarta Duraku Rizaj dhe Arijan Qorolli, të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e mbajtur më 27 maj 2021”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version