Site icon Telegrafi

Kurti takon babain e heroit Enver Zymberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij Muharrem Zymberin, babain e heroit Enver Zymberi, me të cilin tha se ka qenë për një vit bashkë në burgun e Pozharevcit.

“Me 26 korrik sivjet bëhen 10 vjet nga rënia e heroit Enver Zymberi. Në zyrën time prita Muharrem Zymberin, babain e tij, me të cilin kemi qenë për një vit bashkë në burgun e Pozharevcit. Baca Rremë erdhi të më vizitonte me vajzën Shyhrete Zymberi-Brahimi dhe djalin Çlirimin, i cili i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar se sakrifica e Enverit nuk do të harrohet kurrë.

“Përveç bisedës, u ndjeva shumë i nderuar që Arsim Sadiku, miku i Enverit, më kishte bërë një dhuratë të cilën mund ta shihni në foto. Sakrifica e Enverit nuk do të harrohet kurrë, kurse emri i tij do të kujtohet përherë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version