Site icon Telegrafi

Kurti diskuton me QUINT-in për hapjen e Urës së Ibrit: Do t’i ndihmonte qytetarët në të dy anët e urës

Kryeministri Albin Kurti, të mërkurën ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

Siç njoftohet nga Kryeministria, gjatë takimit është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit, dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.

Po ashtu u bisedua për rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura.

“Kjo do të mundësonte lirinë e plotë të lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu KFOR: Vazhdojmë të kemi prani në Urën e Ibrit

Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.

Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.

Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër./Telegrafi/

Exit mobile version