Telegrafi

Kurti takon admiralin amerikan, flasin për sigurinë në Kosovë dhe dialogun

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admirali Stuart Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Admirali amerikan, i cili ka arritur sot në Prishtinë, sipas njoftimit në faqen zyrtare të Komandës së Napolit, gjatë takimit me Kurtin ka biseduar për sigurinë në Kosovë.

“Diskutimet e sotme u fokusuan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në të gjithë Kosovën dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Në fotografinë e publikuar shihet së në takimin mes kryeministrit Kurti dhe admiralit Munsch, ishin të pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.

“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal.  Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.

Ndryshe, menjëherë pas arritjes në Kosovë, Admirali Stuart Munsch sot ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.

Gjatë takimit Ulutas dhe Munsch diskutuan për sigurinë në Kosovë dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. /Telegrafi/