Telegrafi

Kurti takoi zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, flasin për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, pas diskutimit që pati në panelin e tryezës së rrumbullakët në Athinë, që në ditën e dytë kishte për temë rritjen e bashkëpunimit dhe solidaritetit në Evropën Juglindore.

Në njoftimin për media thuhet se “zëvendëspresidenti Schinas e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe e siguroi për vazhdimin e përkrahjes dhe bashkëpunimit”.

“Kryeministri Kurti e falënderoi për takimin dhe e njoftoi zëvendëspresidentin Schinas për punën që po bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës për ringjalljen ekonomike pas pandemisë, zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e krimit e korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti dhe zëvendëspresidenti Schinas diskutuan për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, për migrimin e zhvillime të tjera në nivel global. /Telegrafi/