Telegrafi

Kurti takoi shefin e ri të BE-së, ia përmend aplikimin e Kosovës për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

“Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim. Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave”,thuhet në njoftim.

Kurti dhe Orav diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.

Kryeministri foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët.

Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/