Site icon Telegrafi

Kurti takoi senatorin Murphy, diskutojnë raportet Kosovë-SHBA

Në ditën e dytë të qëndrimit në Uashington, kryeministri Albin Kurti është takuar me senatorin Chris Murphy, me të cilin diskutoi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet vendeve.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë.

Kryeministri Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë në SHBA, me theks tek ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit.

Ndërsa, senatori amerikan tha se vizita e kryeministrit Kurti është rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Ai gjithashtu e njoftoi kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë.

Ndryshe, kryeministri Kurti e kishte pritur në vizitë në Kosovë senatorin Murphy në prill të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version