Site icon Telegrafi

Kurti nis takimet në konferencën e Mynihut, projektet e ardhshme dhe energjia e ripërtërishme në fokus të bisedës me presidenten e BERZH-it

Kryeministri Albin Kurti pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynich të Gjermanisë, e filloi duke u takuar me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Basso, ndërkaq kanë biseduar për projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Kryeministri Kurti tha se te BERZh-i, Qeveria e Republikës së Kosovës sheh një partner të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të saj në zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e transportit, digjitalizimit, energjisë dhe sektorit privat.

“Duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë cilësore në vend, Kryeministri Kurti veçoi trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore.

Kryeministri Kurti e njoftoi presidenten Basso edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, si dhe në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimi të Kryeministrisë, presidentja Basso e uroi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për suksesin në luftën kundër korrupsionit.

Ajo shprehu përkushtimin e BERZh-it për të bërë edhe më shumë në mbështetje të Kosovës, me theks në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat. /Telegrafi/

Exit mobile version