Telegrafi

Kurti: Kontigjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë po i kontribuojnë situatës së sigurisë

Tre muaj pas takimit të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin biseduan për zhvillimet aktuale.

Në njoftimin nga kabineti i Kryeministrit, thuhet se në takimin e Kurtit me emisarin britanik u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

Kurti theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.

Edhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach. Emisari Peach shoqërohej në këtë takim dhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi partneritetin e fuqishëm mes dy vendeve tona si dhe theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm si me ambasadorin Abbott, poashtu dhe me emisarin Peach.

Ai e informoi emisarin Peach rreth procesit të dialogut si dhe rolit aktiv e konstruktiv të Republikës së Kosovës. Vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar angazhimin e përkushtimin e saj jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve e njohje me Serbinë, por edhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve të rajonit, si katalizator për paqe e harmoni, zhvillim e progres.

Aleanca e miqësia me Mbretërinë e Bashkuar bartin rëndësi të veçantë për Kosovën. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Peach për rolin dhe mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/