Site icon Telegrafi

Kurti takoi komandantin e KFOR-it: Jemi të përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritën sot në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajari.

Kurti e falënderoi komandantin Kajari për kontributin e KFOR-it për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Republikën e Kosovës.

“Ai ritheksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për komunikim, bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kryeministri shprehu përkushtimin institucional për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe sundimin e ligjit, si prioritete të qeverisjes”, thuhet në njoftimin për media.

Gjeneral Major Kajari e përgëzoi ministrin Sveçla për angazhimin dhe profesionalizmin e lartë që po tregon Policia e Kosovës në shërbim të qytetarëve.

Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e forcës shumëkombëshe për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet për krijimin dhe ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version