Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Madrid ish–Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.
Pas një vizite me Javier Solanën në muzeun kombëtar Museo Nacional del Prado në Madrid, ku ai është Drejtor i Patronazhit të këtij muzeu me famë ndërkombëtare, Kurti pati një bisedë të ngrohtë dhe të hapur mbi gjendjen e Kosovës, të rajonit, por edhe të Evropës, përballë luftës ruse në Ukrainë.
Sipas njoftimit nga Qeveria, Kurti shprehu mirënjohjen për rolin e Solanës gjatë dy momenteve përcaktuese për popullin tonë: çlirimin tonë në vitin 1999, si dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
“Përvoja e zotit Solana, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është e çmueshme për Republikën e Kosovës dhe e paharrueshme për popullin e Kosovës”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/