Site icon Telegrafi

Kurti takoi ambasadorin e ri të Japonisë, flasin për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka pritur sot në një takim të parë ambasadorin e ri të Japonisë, Akira Mizutani.

Pas urimeve dhe falënderimeve të rastit, ambasadori Mizutani shprehu dëshirën dhe synimin e shtetit të tij për zgjerim të marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kosovës. Ai nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon, transmeton Telegrafi.

“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhjen dhe e njoftoi shkëlqesinë e tij për programin qeverisës që shumë shpejt do të përcillet me Plan të Veprimit dhe atë Legjislativ. Kryeministri argumentoi se ky normalizim do të jetë i shëndetshëm nëse marrëdhëniet miqësore me fqinjët shihen si fusha e realizimit të reciprocitetit”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga zyra e kryeministrit.

Përsa u takon marrëdhënieve bilaterale mes Japonisë e Kosovës, kryeministri vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale duhet të thellohen në të gjitha fushat prej ekonomisë e deri në atë kulturore.

“Të dy bashkëbiseduesit shprehën dakordësinë e tyre lidhur me nevojën për ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë, faktor shumë i rëndësishëm për zhvillim ekonomik, barazi dhe mirëqenie sociale”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit, kryeministri Kurti i dorëzoi ambasadorit letrën falënderuese për homologun e tij, kryeministrin e Japonisë./Telegrafi/

Exit mobile version