Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Takimi u fokusua në vazhdën e bashkëpunimit të nisur gjatë vizitës së ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, më 5 shtator 2024.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për përgatitjet rreth vizitës së ardhshme të një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze në Kosovë, me qëllim hulumtimin e mundësive për investime të huaja në vend.
“Si vazhdimësi e takimit të 5 shtatorit, kryeministri dhe ambasadori Nissinen folën për përgatitjen e nevojshme për realizimin e vizitës së një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze për të hulumtuar mundësitë dhe avantazhet që vendi ynë ofron për investitorë të huaj,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë e tij për pritjen e Ministres Valtonen, ku janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat me interes të veçantë, përfshirë tregtinë dhe mbrojtjen.
“Kryeministri ka falënderuar ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i ofron Kosovës, qoftë në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ashtu edhe në zhvillimin institucional dhe shoqëror të vendit,” përfundon komunikata.