Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ambasadori Abbott uroi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të ndihmuar Kosovën sidomos në fushën e sundimit të rendit e ligjit dhe të sigurisë.
“Z. Abbott tha se në planin afatgjatë Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të rolit në QUINT, do të vazhdojë të përkrahë Kosovën për t’u bërë shtet funksional e stabil dhe me raporte të normalizuara me Serbinë. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott biseduan edhe për gjendjen me pandeminë, arritjen e vaksinave dhe domosdoshmërinë e respektimit të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeminstrit.
Tutje, në komunikatë thuhet se “duke e falënderuar ambasadorin Abbott për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik ia ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti tha se ai është i përkushtuar që Qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar duke i ofruar kështu një partner serioz”.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott u pajtuan se investimet e përbashkëta të diasporës kosovare me investitorë seriozë britanikë, do t’i kontribuonin zhvillimit ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/